Secondary Adv

Kadastra: Miratohet fondi, 840 mln lekë për kompensimin e 1901 pronarëve përfitues nga legalizimet

Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond prej 840.7 milionë lekësh për kompensimin financiar të pronarëve, pasuritë e të cilëve janë prekur nga ndërtimet e legalizuara.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, vendimi përfshin 328 prona dhe një sipërfaqe totale prej 61,477.13 metrash katrorë truall, ndërsa 1901 banorë përfitojnë mundësinë për t’u pajisur me parcelën ndërtimore.


Fondi i miratuar arrin konkretisht në 840,702,155.51 lekë dhe do të përdoret për kompensimin e pronarëve të truallit të prekur nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje. Paralelisht me kompensimin financiar, vendimi mundëson vijimin e procedurave për pajisjen me parcelë ndërtimore të 1901 përfituesve.


Lista e përfituesve do të publikohet online

Pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, lista do të bëhet e disponueshme edhe në platformën online “Përfituesit e parcelës ndërtimore & Subjektet që kompensohen”, në faqen zyrtare të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Nëpërmjet kësaj platforme, qytetarët do të mund të verifikojnë nëse janë pjesë e listës së përfituesve, si për pajisjen me parcelën ndërtimore, ashtu edhe për kompensimin financiar.


Sipas ASHK-së, vendimi është pjesë e procesit të vazhdueshëm për zgjidhjen e problematikave të krijuara nga ndërtimet pa leje dhe legalizimet. Procesi synon të trajtojë të drejtat e pronarëve të truallit, paralelisht me përmbylljen graduale të procedurave të legalizimit dhe të proceseve kalimtare të pronësisë.


Në qershor u miratuan edhe 870.7 milionë lekë

Kompensimi financiar për pronarët e prekur nga legalizimet është financuar edhe përmes vendimeve të mëparshme të Këshillit të Ministrave. Në qershor 2026 u miratua një fond prej rreth 870.7 milionë lekësh, përmes të cilit u trajtuan 422 prona për kompensim.


Me vendimin e ri, procesi vijon me një tjetër paketë prej 328 pronash dhe një fond prej mbi 840 milionë lekësh. Masa synon vijimin e kompensimit të pronarëve, përmbylljen graduale të proceseve kalimtare të pronësisë dhe forcimin e sigurisë juridike mbi pronën.



Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat